Prof. Dr. Naim Syla boton librin universitar “Fizika e trupit të ngurtë”
Profesori gjilanas në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Fizikës, Prof. Dr. Naim Syla, ka publikuar librin e radhës në fushën e shkencave natyrore.
Në bashkëautorësi me kolegun e tij, Fisnik Aliaj, ai ka nxjerrë në dritë tekstin universitar “Fizika e trupit të ngurtë”, i dedikuar studentëve të studimeve universitare.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë profesori Syla përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka njoftuar se libri është botuar pas një pune disavjeçare si asistent dhe ligjërues i kësaj lënde, me vendim të Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës.
“Pas një pune disavjeçare si asistent, përkatësisht ligjërues i lëndës, sot me vendim të Këshillit Botues të UP-së, nxorëm në dritë librin ‘Fizika e trupit të ngurtë’. Me këtë rast falënderojmë profesorët H. Oettel (Freiberg – Gjermani) dhe Z. Shemsidini, recensentë dhe bashkëpunëtorë. Shpresojmë që libri t’u shërbejë studentëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë në këtë fushë”, ka shkruar ai.
Prof. Dr. Naim Syla është autor i disa librave shkencorë dhe didaktikë, si për arsimin fillor dhe të mesëm, ashtu edhe për nivelin universitar.
Kontributi i tij në fushën e arsimit dhe shkencës vlerësohet si i rëndësishëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e brezave të rinj.

