Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit në Mitrovicë të Jugut pas sqarimeve të kompanisë CETIS

 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut, pas ndërprerjes që ndodhi për shkak të gabimit teknik në disa fletëvotime.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, vendimi është marrë pas sqarimit zyrtar të kompanisë sllovene CETIS, e cila është përgjegjëse për printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut. Kjo pasi kompania CETIS, përmes një njoftimi, ka sqaruar se problemi ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe ka marrë përgjegjësi për këtë gabim teknik”, thuhet në njoftim.

Në deklaratë theksohet se, sipas CETIS, gabimi ishte teknik dhe pothuajse i pamundur të ndodhte në rrethana normale, ndërsa elementet e sigurisë të fletëvotimeve mbeten të paprekura.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka caktuar dy hetues policorë, të cilët do të jenë të pranishëm gjatë gjithë procesit të numërimit, deri në përfundimin e tij të plotë, për të siguruar transparencë dhe mbarëvajtje të ligjshme të procedurës.

Ky zhvillim vjen pas bujës së krijuar në opinionin publik dhe reagimeve të partive opozitare, të cilat kanë kërkuar hetim të detajuar dhe garanci për integritetin e procesit zgjedhor.

 

 

Shpërndaj me të tjerët