Pushimi vjeshtor në mes të javës, vendim pa arsyetim pedagogjik

 

Opinion nga Murat Mustafa, njohës i zhvillimeve arsimore

Vendimi që pushimi vjeshtor të vendoset nga 29 deri më 31 tetor, pra në mes të javës, është shembull tipik i mungesës së planifikimit profesional në sistemin arsimor.

Të zhvillohet mësimi vetëm dy ditë (të hënën dhe të martën), e më pas të ndërpritet procesi, është jo vetëm i pakuptimtë, por edhe kundër logjikës pedagogjike.

Në thelb, një vendim i tillë i prish ritmin mësimor, e sidomos ul motivimin e nxënësve dhe mësimdhënësve.

Arsimi kërkon rend, vazhdimësi dhe qartësi,  jo ndërprerje të befasishme në mes të javës.

Në vendet serioze, pushimet kanë logjikë arsimore

Në sistemet arsimore me standarde të larta, pushimet planifikohen në fundjavë ose për një javë të plotë, për të mos e thyer procesin e të nxënit. Kjo ndihmon që nxënësit të kenë qartësi, të mos humbin fokusin dhe të rikthehen me energji pas një periudhe të plotë pushimi.

Nëse shqetësimi është “humbja e ditëve mësimore”, zgjidhja është e thjeshtë, ato mund të zëvendësohen ose bartën në fund të vitit shkollor.

Por të ndërpritet mësimi në mes të javës, pa analizë dhe pa qëllim arsimor, është improvizim administrativ, jo politikë edukative.

Nxënësit nuk janë pjesë e një eksperimenti administrativ

Vendimet për kalendarin shkollor duhet të merren me konsultim me mësimdhënës, prindër dhe ekspertë të arsimit.

Kjo mënyrë e njëanshme, ku vendimet dalin nga zyra dhe jo nga terreni, krijon pasiguri e konfuzion.

Arsimi nuk mund të trajtohet si një orar zyrtar që ndryshohet sipas dëshirës.

Kur pushimet caktohen pa arsyetim pedagogjik, dërgohet mesazhi se arsimi mund të ndërpritet në çdo moment, pa reflektuar për pasojat.

Më shumë mendim, më pak improvizim

Arsimi është proces që kërkon stabilitet, ritëm dhe përgjegjësi.

Nëse synojmë cilësi dhe standarde evropiane, edhe pushimet duhet të kenë arsyetim arsimor, jo thjesht kalendarik.

Një sistem që planifikon pushimin në mes të javës, pa logjikë pedagogjike, është sistem që ende nuk e ka kuptuar se arsimi është ritëm, jo rastësi.

 

 

Shpërndaj me të tjerët