Qentë endacak, temë e parë elektorale në Gjilan

 

Kandidatët për kryetar nisin prezantimin e projekteve, përpara fillimit zyrtar të fushatës

Edhe pse fushata për zgjedhjet lokale nuk ka nisur zyrtarisht, në Gjilan ka nisur gara për ide dhe projekte, ndërsa trajtim i qenve endacak është shndërruar në një nga temat e para të debatit publik ndërmjet kandidatëve për kryetar.

Kryetari aktual, Alban Hyseni, ka deklaruar se çështja e qenve endacak “ka marrë fund” dhe se në ditët në vijim projekti për zgjidhjen e kësaj problematike do të nisë zbatimin konkret.

Nga ana tjetër, kandidati Riad Rashiti ka prezantuar po ashtu një projekt të vetin për trajtimin e kësaj çështjeje, ndërsa Arbër Ismajli nga LDK ka bërë një akuzë direkte ndaj pushtetit aktual për refuzim të një projekti prej 700 mijë euro, i cili sipas tij është ofruar nga një investitor zvicerano-kosovar dhe ka ardhur në Komunë përmes këshilltarëve të LDK-së.

“Ky projekt parasheh ndërtimin e një qendre moderne për trajtimin e qenve endacak, me shumë pak kosto për Komunën. Fatkeqësisht, pushteti aktual e ka refuzuar këtë mundësi dhe e ka lënë në harresë. Ne jemi të përkushtuar ta realizojmë këtë projekt me transparencë dhe profesionalizëm sapo qytetarët të na japin besimin,” ka thënë Ismajli.

Sipas tij, qytetarët e Gjilanit meritojnë zgjidhje reale dhe jo neglizhencë institucionale për çështje që prekin drejtpërdrejt përditshmërinë e tyre.

Edhe pse ende në fillim të rrugës zgjedhore, tema e qenve endacak duket se po bëhet një ndër temat kyçe, që jo vetëm teston seriozitetin e kandidatëve, por edhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me sektorin privat për çështje publike.

 

Shpërndaj me të tjerët