Profesori i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universiteti Kadri Zeka në Gjilan dhe ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka marrë thirrjen më të lartë akademike Profesor Doktor (Prof. Dr.).
Lajmin për këtë avancim akademik-shkencor, prof. Mustafa e ka bërë të ditur përmes një postimi publik, ku ka ndarë rrugëtimin e tij të gjatë arsimor dhe shkencor, duke theksuar se ky sukses vjen pas më shumë se gjysmë shekulli përkushtim në shkollim, edukim dhe studime të avancuara.
Sipas tij, thirrja Profesor Doktor vjen pas thirrjeve paraprake akademike: Profesor Asistent në vitin 2016 dhe Profesor i Asociuar në vitin 2022.
Baza e këtij avancimi qëndron në gradën shkencore Doktor i Shkencave, të fituar në vitin 2013 në Departamentin e Matematikës, Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar në Universitetin e Tiranës.
Prof. Mustafa ka theksuar se veprimtaria e tij akademike është e fokusuar në fushën e Sistemeve të Informacionit, digjitalizimin e sistemeve inteligjente të informacionit të bazuara në elektronikë dhe sensorë, si dhe Inxhinierinë Softuerike me programim të kontrollorëve logjikë.
Ai ka realizuar një numër të madh projektesh kërkimore, si në laboratorin personal ashtu edhe në bashkëpunim me studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UKZ.
Gjatë vitit 2025, prof. Mustafa ka arritur të përfundojë dhe publikojë pesë punime shkencore të indeksuara në platformën prestigjioze Scopus, si dhe punime të pranuara në revista dhe konferenca të indeksuara në Web of Science.
Po ashtu, në të njëjtin vit ka botuar tekstin universitar “Mikrokontrollorët dhe qarqet elektrike të rrymave të vazhdueshme”, i cili ka kaluar të gjitha filtrat akademikë dhe institucionalë brenda Universitetit “Kadri Zeka” dhe është recensuar nga profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Në mesazhin e tij, prof. Mustafa ka falënderuar familjen për mbështetjen e vazhdueshme morale dhe profesionale, si dhe ka shprehur mirënjohje për Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), në krye të së cilës vazhdon të jetë, për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar gjatë gjithë rrugëtimit të tij akademik.
Në përmbyllje, ai ka inkurajuar të gjithë ata që ndjekin rrugën akademike të mos ndalen përballë vështirësive, duke theksuar se puna, përkushtimi dhe guximi janë çelësi i arritjes së synimeve shkencore dhe profesionale.
