Ramadani i sinqertë: Ndërrimet ndaj Prishtinës nuk ishin të qëlluara

 

Sinqeriteti, modestia dhe korrektësia janë tipare që vetëm sa e forcojnë karakterin e një trajneri.

Pikërisht kështu u paraqit tekniku i Dritës, Zekirija Ramadani, në konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Drenicës.

Ai hapur pranoi se ndërrimet e bëra në sfidën e fundit ndaj Prishtinës nuk kanë qenë të qëlluara.

“Kam gabuar me disa zëvendësime”, u shpreh ai, duke shtuar se analiza e lojës ka qenë e sinqertë dhe realiste.

Drita, që kishte përfunduar pjesën e parë me avantazh bindës 2:0, në të dytën pësoi dy gola dhe ndeshja u mbyll me barazim 2:2.

Tash, nesër ekipi zhvillon ndeshjen e parë si vendas në këtë edicion, që i përket javës së dytë të kampionatit.

Ramadani theksoi se është momenti i duhur për ta parë fytyrën e vërtetë të Dritës dhe për të nisur rrugëtimin e mbrojtjes së titullit.

“Kemi potencial, por titulli mund të mbrohet vetëm me mund, përkushtim, sakrificë, djersë dhe angazhim të plotë”, u shpreh trajneri i bardhekaltërve, duke lënë të kuptohet qartë se synimi është fitorja dhe tri pikët e para,  para tifozëve të vet.

 

 

Shpërndaj me të tjerët