Ramadani: Nëse duam të jemi lajm evropian, duhet t’i eliminojmë të mëdhenjtë!

Skuadra e Dritës nga Gjilani ka hyrë në historinë e futbollit kosovar me kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, pas triumfit ndaj kampionëve të Luksemburgut. Por festa ka qenë e shkurtër, trajneri Zekirija Ramadani ka konfirmuar se pas vetëm një dite pushim, skuadra ka filluar përgatitjet për përballjen e radhës, e cila është ndaj një kundërshtari të kalibrit të lartë: gjigantit danez Copenhagen.

Strategu shkupjan, që ka fituar 4 tituj kampioni me katër skuadra të ndryshme në Kosovë, para ndeshjes ka një qëndrim realist, por aspak të dorëzuar.

“Nëse duam të jemi pjesë e lajmeve evropiane, duhet t’i eliminojmë ekipet e mëdha. Nuk ka frikë, në fushë jemi 11 me 11. Aty vendos angazhimi, jo emrat”, theksoi ai.

Ai shtoi se plani është që ekipi të jetë i organizuar, të mbrojë portën dhe të shfrytëzojë çdo mundësi në kundërsulm.

“Ne do të japim maksimumin. Drita ka luajtur edhe më parë me emra të mëdhenj. Kemi dy takime, por tani kemi edhe më shumë përvojë. Me rëndësi është që nga Danimarka të kthehemi të pamposhtur dhe ndeshjen e kthimit ta luajmë me zemër para tifozëve tanë”, shtoi Ramadani.

Drita pritet të përballet me Copenhagen të martën, në një përballje që do të testojë seriozisht karakterin, cilësinë dhe përgatitjen e skuadrës nga Gjilani.

 

 

Shpërndaj me të tjerët