Riad Rashiti: Asnjë institucion i Gjilanit nuk ka të drejtë t’u mbyllë dyert qytetarëve të vet

 

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes lokale dhe qëndrimit të heshtur të pushtetit qendror, duke vënë theksin te rasti i lagjes Dardania dhe trajtimi i saj institucional.

Në një reagim të publikuar në profilin e tij zyrtar, Rashiti thekson se situata aktuale nuk është vetëm dështim i qeverisjes komunale, por edhe pasojë e heshtjes së qëllimshme të Qeverisë së Albin Kurtit. Ai thotë se kjo qasje po zbatohet në dëm të qytetarëve të Gjilanit, duke sjellë ndasi dhe pasiguri për banorët.

“Ata që dikur protestonin kundër decentralizimit, bënin peticione dhe i kallnin institucionet e Kosovës, sot po e zbatojnë me lehtësi këtë projekt, sepse janë pjesë e pushtetit lokal dhe qendror dhe kanë zgjedhur të heshtin. Kolltuku ua ka shuar ndërgjegjen. Kjo është tradhti morale dhe politike ndaj qytetarëve të Gjilanit”, ka deklaruar Rashiti.

Ai u zotua se nga muaji tetor, PDK do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të rikthyer integritetin territorial dhe funksional të lagjes Dardania brenda komunës së Gjilanit. Sipas tij, çdo qytetar, pa dallim, duhet të ketë të drejtën e pakushtëzuar për të marrë shërbime nga komuna.

“Gjilani meriton një qeverisje që i mbron njerëzit, jo që i braktis ata”, tha ai, duke shtuar se Dardania nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së institucioneve.

Rashiti paralajmëroi për pasojat që mund të sjellë ky neglizhencë institucionale: “Nuk është normale që banorët të jetojnë me frikën se fëmijët e tyre do të detyrohen të shkojnë në shkollë në Pasjak të Novobërdës, vetëm sepse mungon vëmendja e Gjilanit. Mos ua ndani shtëpitë me Novobërdë e oborret me Gjilan.”

Në fund, ai bëri thirrje publike për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët e prekur, duke i ftuar përfaqësuesit e pushtetit që të mos i lënë banorët e Dardanisë të ndihen të braktisur dhe të tradhtuar.

 

Shpërndaj me të tjerët