Drejtoria e Administratës në Gjilan po vazhdon të ndërmarrë masa konkrete për krijimin e kushteve të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta.
Pas rregullimit të ashensorit disa kohë më parë, këtë herë është riparuar edhe hyrja e veçantë e dedikuar për këtë kategori brenda objektit.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, Fadil Ademi, ushtrues detyre i Shefit të Gjendjes Civile në Administratën e Gjilanit.
“Disa punë kanë kosto të vogël, por pesha dhe rëndësia e tyre janë të mëdha. Sigurojmë qasje të barabartë dhe të lehtë në hyrje të Drejtorisë së Administratës dhe Shërbimeve Publike, duke krijuar kushte më të mira për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Ademi.
Ky veprim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes dhe krijimit të qasjes së barabartë për të gjithë qytetarët e komunës.

