Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan ka bërë të ditur se gjatë periudhës 06–12 shkurt 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, janë shqiptuar gjithsej 1.778 gjoba ndaj kundërvajtësve.
Gjatë kësaj jave, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë trajtuar edhe një numër të konsiderueshëm të aksidenteve, përkatësisht 16 aksidente me dëme materiale dhe 15 aksidente me të lënduar.
Po ashtu, ndaj 72 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Policia rikujton se qytetarët që pranojnë gjobën përmes postës dhe e paguajnë atë brenda 15 ditëve, kanë të drejtë të përfitojnë 50 për qind zbritje nga shuma totale e gjobës.
Në rast paqartësish rreth pagesës apo procedurës, qytetarët mund të paraqiten në stacionin policor ose në njësitin kompetent që ka shqiptuar gjobën.
Gjithashtu, çdo kundërvajtës ka të drejtë ligjore të paraqesë ankesë ndaj gjobës së shqiptuar.
Policia apelon për respektim të rregullave të trafikut, duke theksuar se vetëm përmes kujdesit dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të parandalohet rritja e aksidenteve në rrugë.
