Lionel Messi ka sinjalizuar se do ta mbyllë karrierën e tij në Inter Miami, pas nënshkrimit të kontratës së re që e lidh me klubin amerikan deri në fund të sezonit 2027.
Kapiteni argjentinas, që iu bashkua skuadrës në vitin 2023, tani pritet të qëndrojë edhe dy vite shtesë në Major League Soccer (MLS).
Sipas të dhënave zyrtare të MLS për vitin 2025, paga bazë e Messit është 12 milionë dollarë, ndërsa kompensimi total i garantuar arrin në 20,446,667 dollarë në vit, duke e bërë lojtarin më të paguar në kampionat.
Në renditjen e pagave e ndjekin shokët e tij të skuadrës, Sergio Busquets (8.5 milionë dollarë bazë, mbi 10 milionë total) dhe Jordi Alba (6 milionë dollarë), ndërsa Lorenzo Insigne dhe Miguel Almiron plotësojnë pesëshen më të paguar në MLS.
Sipas “Capology”, duke përfshirë marrëveshjet me Apple, Adidas dhe sponsorët personalë, Messi përfiton rreth 54 milionë dollarë në vit, ose mbi 162 milionë dollarë për tre vite.
Përveç pagës, ai thuhet se ka edhe pjesëmarrje në pronësinë e klubit dhe të ardhura shtesë nga të drejtat e imazhit, çka e bën marrëveshjen e tij një nga më të vlefshmet në historinë e futbollit amerikan.

