Trajneri gjilanas me përvojë të gjatë, Sallah Sherifi, do të jetë sërish në krye të pankinës së Kikës së Hogoshtit, anëtare e Ligës së Parë të Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të brendshme të klubit, të cilat konfirmojnë se Sherifi shumë shpejt do të zyrtarizohet si trajner dhe do të nisë përgatitjet për edicionin e ri futbollistik 2025/26.
Sherifi nuk është emër i panjohur për Kikën — ai e ka drejtuar këtë skuadër edhe më parë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira dhe respekt të ndërsjellë me klubin dhe futbollistët.
Në rikthimin e tij, strategu gjilanas synon të ndërtojë një skuadër stabile, me një fond të mjaftueshëm lojtarësh cilësorë, që do t’i japë identitet dhe konkurrencë klubit hogoshtas në Ligën e Parë.
Kika e Hogoshtit është një prej klubeve me traditë të gjatë në futbollin kosovar, madje ish-nënkampione e Kosovës para luftës, dhe rikthimi i një trajneri të njohur si Sherifi shihet si hap pozitiv drejt ringritjes dhe stabilitetit të ekipit.