Satirike-Vapa afrikane

Satirike

VAPA AFRIKANE

Po na djeg vapa nga para dhe prapa,
Sikur një stuhi, që të ndjek me hapa.
S’ka klimë që ftoh, as fresk’ që ndal,
Djersa rrjedh çurg, në shpinë e ballë.

Mirëpo, kjo vapë ndoshta kalon vetë,
Ama, politika, na shton hallet në jetë.
Rritet inflacioni sikur buka në brumë,
Çmimet nuk ndalen, rrjedhin si lumë!

Pushimet në plazh i kemi me nostalgji,
Fotot e vjetra në bregdet, relikte për sy.
Dikur me rrogë, shtatë net në Sarandë,
Sot nuk del një kafe me ujë në verandë.

Por, politikani me kollare deri në brez,
Thotë:- Gjendja nën kontroll, pa stres!
Ai, pushon në vendet deri në Ekuador,
Ne flladitemi në errësirë me ventilator.

Në televizor, debatet si gjellë e prishur,
Kush i ka fajet, kush është më i ndritur?
Populli nga vapa, vlon si supa pa kripë,
E shteti këshillon:- S’ka rrezik për grip!

Eh, moj vapë, seç na solle në këtë siklet,
Por, s’je e vetmja nga problemet në jetë.
Kur ti ikën, na vjen dimri me shtrenjtësi,
“Rikthim” surprize, si fatura me llogari!

Spica Metalike
(Karikatura marrë nga interneti)

Shpërndaj me të tjerët