Sport Club Gjilani ka zyrtarizuar emërimin e Debatik Currit në postin e shefit të shtabit teknik, duke i besuar drejtimin e ekipit një emri me përvojë dhe reputacion në futbollin shqiptar.
Pas analizave dhe konsultimeve të brendshme, bordi drejtues vendosi t’ia besojë këtë detyrë ish-reprezentuesit të Kombëtares së Shqipërisë, i njohur për profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim si në arenën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Në karrierën e tij si trajner, Curri ka drejtuar FC Prishtinën, me të cilën fitoi Kupën e Kosovës (2022/23), si dhe ka qenë pjesë e shtabit teknik si asistent i parë te FC Prishtina dhe FC Suhareka.
Në prezantimin zyrtar në ambientet e SC Gjilanit, Curri falënderoi klubin për besimin dhe premtoi një lojë angazhuese, me disiplinë e shpirt gare:
“Varësisht nga kundërshtari do të aplikojmë strategjinë e duhur, por një gjë është e sigurt, nuk do të ketë mosangazhim. Ata që japin maksimumin, do të jenë titullarë. Gjilani ka një fond të mirë lojtarësh dhe duhet të nxjerrim maksimumin prej tyre.”

