Kanë përfunduar garat në Ligën Botërore të Karatesë në Venecia të Italisë, të mbajtura nga 4 deri më 7 dhjetor, pa medalje për karateistët e Klubit të Karatesë “AS” Gjilan.
“Ishte një përvojë e mirë, pati luftëra shumë të mira. Ne do të vazhdojmë tutje”, deklaroi trajneri i KK AS Gjilan, Alban Beqiri.
Një paraqitje të shkëlqyer e bëri karateistja Erina Sherifi, e cila në kategorinë Cadet Female -54 kg fitoi tri ndeshje radhazi, kundër një garuese nga Spanja dhe dy nga Italia.
Ajo u ndal në çerekfinale duke humbur në sekondat e fundit ndaj kundërshtares nga Suedia, ndërsa në luftën për medaljen e bronztë u mposht nga Portugalia, pasi humbja dramatike e mëhershme ndikoi në moral.
Edhe Dradan Jahiu (Cadet Male +70 kg) zhvilloi paraqitje pozitive, duke fituar dy ndeshje dhe duke humbur njërën po ashtu në sekondat e fundit. Ndërsa Xhan Ilijazi, në kategorinë U14 -50 kg, u ndal që në luftën e parë. Nga rezultatet e kësaj gare shihet qartë se për karateistët e AS Gjilanit, këtë herë pikërisht sekondat e fundit u treguan fatale, ndonëse ky klub vazhdimisht është ndër më meritorët për medalje në arenën ndërkombëtare.
Në gjithë këtë, mbetet e rëndësishme përvoja dhe vendosmëria që karateistët e rinj të AS Gjilanit po e tregojnë në garat më të mëdha të botës.

