Një aksion i koordinuar mes Doganës së Kosovës dhe Policisë Kufitare ka rezultuar sot me zbulimin e një shume marramendëse prej rreth 1 milion eurosh të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Më 24 shkurt 2026, gjatë procedurave standarde operative dhe bazuar në analizën e riskut, zyrtarët doganorë selektuan për kontroll të detajuar një automjet që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit të parë përmes pajisjes së skanimit me rreze X, u identifikuan indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë dhe të modifikuar në dyshemenë e automjetit.
Pas këtyre dyshimeve, Dogana kërkoi asistencën e Policisë Kufitare, të cilët përdorën pajisje fibroskopike për të konfirmuar praninë e mjeteve monetare të fshehura në një bunker të improvizuar brenda mjetit.
Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve të padeklaruara dyshohet të jetë rreth 1,000,000 euro. Njësitë hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë njoftuar prokurorin kompetent, me të cilin po koordinohen veprimet e mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se përdorimi i teknologjisë së avancuar mbetet kyç në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare dhe kontrabandës në pikat kufitare.
