Një emër legjendar i futbollit gjilanas Seladin Jerliu, i njohur për të gjithë me nofkën Coli, konsiderohet pa dilemë një nga futbollistët më të mëdhenj që ka nxjerrë Gjilani me rrethinë.
Për pozitën e tij, shumëkush është i bindur se edhe sot mbetet titullar i padiskutueshëm, një lojtar i rrallë për të cilin ende thuhet se “nuk ka pasur e nuk ka të dytë si ai”.
Dy pozicione, një nivel i jashtëzakonshëm
Coli ka luajtur me sukses në dy pozicione kyçe: mesfushor para mbrojtjes dhe libero.
Në të dyja rolet ka shkëlqyer, por siç shprehet edhe vetë, pozita që e ka luajtur “me zemër” ka qenë ajo e mesfushorit, aty ku dirigjonte lojën dhe kontrollonte ritmin e ekipit.
Profil i një futbollisti komplet
Ai karakterizohej nga driblimet elegante, posedimi i sigurt i topit, gjuajtjet e forta dhe precize, pasimet e sakta, goditjet standarde dhe ekzekutimi i penaltive.
Ishte lider brenda fushës, agresiv në duele, i përkushtuar maksimalisht, me lexim të shkëlqyer të lojës dhe ndërhyrje të sakta në kohë.
Njihej edhe për faktin se rrallë, ose thuajse kurrë, nuk e kthente topin te portieri, gjithnjë kërkonte lojë përpara.
Pikërisht për këto cilësi, çdo trajner dhe çdo ekip e dëshironte në radhët e veta.
Dashuria për futbollin që nga bankat shkollore
Dashuria e Colit për futbollin nisi që në fëmijëri, që nga klasa e parë.
Ishte nxënës i dalluar në shkollë, por i pandashëm nga topi, në orën e edukatës fizike, pas mësimit dhe në rrugë.
Në çdo turne shkollor, jo vetëm që fitonte ekipi i tij, por Coli gjithënjë shpallej lojtari më i mirë i turneut.
Hapat e parë në futbollin e madh
Pas përfundimit të shkollës fillore, në vitin 1982, bëhet pjesë e ekipit të juniorëve të Crvena Zvezda Gjilan.
Fillimisht huazohet te FC Drita, ku me paraqitjet e tij mbresëlënëse ua ndryshon mendjen drejtuesve dhe rikthehet sërish te “Crvena Zvezda”, duke luajtur për juniorët deri në vitin 1984.
Karrierë e ndritur në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj
Nga viti 1986 deri më 1990, Coli luan për ekipin e parë të “Crvena Zvezda” së Gjilanit në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë.
Në vitin 1991 kalon te Teteks Tetovë, ndërsa në vitin 1993 transferohet në Gjermani, te ekipi Ludëigsburg, ku luan në ligën e tretë gjermane.
Rikthimet në Maqedoni dhe Kosovë
Sezonin 1994/95 e zhvillon te Shkëndija Tetovë, ndërsa më pas luan edhe për Bashkimi Kumanovë.
Në vitin 1997 rikthehet në vendlindje, te KF Gjilani, për t’u kthyer sërish te Shkëndija deri në vitin 1999, në kohë lufte në Kosovë.
Trofe me Gjilanin dhe rivaliteti lokal
Pas vitit 2000 rikthehet te Gjilani, ku fiton Kupën dhe Superkupën e Kosovës, para se të kalojë te rivali lokal FC Drita, ku luan deri në vitin 2005.
Një sezon e kalon edhe te KF Kika Hogosht, ndërsa më pas rikthehet sërish te Drita, ku në vitin 2007 e përfundon karrierën si lojtar aktiv, në moshën 41-vjeçare.
Statistika që flasin vetë
Në secilin ekip ku ka luajtur, Coli ka qenë titullar i padiskutueshëm. Ai numëron rreth 1000 ndeshje zyrtare në karrierën e tij, një shifër që flet për qëndrueshmëri dhe profesionalizëm të rrallë.
Reprezentues i Kosovës dhe duelet me legjendat
Coli ka qenë reprezentues standard i Kosovës, duke marrë pjesë në tri turne ndërkombëtare:, 1993 në Tiranë, më 1997 në Düsseldorf, më 1998 në Stamboll
Ai kujton me emocion një ndeshje miqësore mes “Crvena Zvezda” dhe Prishtinës, ku përballë kishte idhullin e tij, legjendën Fadil Vokrri. “Ishte shumë e vështirë ta mbaje Vokrrin brenda 16-shit, ishte i fuqishëm dhe i paparashikueshëm”, shprehet Coli.
Mirënjohje për trajnerët dhe roli i sotëm
Ai vlerëson veçanërisht trajnerin Bylbyl Sokoli, për ndikimin e madh në zhvillimin e tij futbollistik.
Sot, Seladin Jerliu – Coli, vazhdon t’i shërbejë futbollit si trajner i grupmoshave të reja në KF Gjilan, duke përcjellë përvojën dhe vlerat e një karriere të jashtëzakonshme brezave të rinj.
