Rinumërimi i votave ka nxitur reagime të shumta, ndër to edhe nga Selver Xhelili, ish-kandidat i PDK-së nga Gjilani, i cili ka ngritur akuza të rënda për parregullsi dhe manipulime gjatë procesit zgjedhor.
Në reagimin e tij publik, Xhelili ka theksuar se ajo që po del në pah gjatë rinumërimit dëshmon për seriozitetin e situatës dhe problemet e thella brenda një partie, ku sipas tij, veprojnë individë të pandershëm dhe përfitues.
“Ajo që po shihet gjatë procesit të rinumërimit tregon qartë seriozitetin e situatës dhe nxjerr në pah problemet e brendshme të një partie, ku fatkeqësisht ekzistojnë individë të pandershëm, profiterë dhe persona që kanë prekur drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve në kutitë e votimit,” ka shkruar Xhelili.
Ai thekson se janë vërejtur keqpërdorime të rënda të votave, sidomos në dëm të kandidatëve nga e njëjta listë, duke shtuar se dyshohet për përfshirje të personave me ndikim brenda partisë.
Sipas tij, këta persona kanë organizuar veprime të qëllimshme për të eliminuar disa kandidatë dhe për të favorizuar të tjerë, përmes manipulimeve gjatë procesit të numërimit.
“Është vërtetuar se brenda kësaj partie ka individë të dëmshëm, të cilët për interesa të ngushta kanë dëmtuar rëndë procesin demokratik dhe kanë humbur besimin e qytetarëve,” thekson Xhelili.
Në fund, ai ka bërë thirrje për rinumërim të plotë të votave dhe për ndëshkim ligjor të çdo personi që ka prekur qoftë edhe një votë të vetme.
“Ky proces zgjedhor ka dështuar, sepse përmes manipulimeve është vjedhur besimi i qytetarëve,” përfundon reagimi i tij.

