Shengyl Imami, Ikonë e heshtur e Dritës dhe kulturës gjilanase

 

Futbollisti i rrallë që nisi gjithçka si nxënës i gjimnazit

Ishte viti 1971, sapo kishte nisur gjimnazin kur një turne shkollor futbolli do t’i ndryshonte rrjedhën e jetës. Shengyl Imami, një djalosh i heshtur, por me talent të rrallë, shkëlqeu me paraqitjen dhe performancën e tij. Pikaset nga drejtuesit e KF Tekstilit, një skuadër e sapoformuar në rrethin e Gjilanit  dhe shumë shpejt, si 15-vjeçar, vesh fanellën e parë të ekipit senior. Ishte diçka që nuk kishte ndodhur më parë me një futbollist kaq të ri.

Matematikë dhe futboll, dy pasione që nuk ndahen

Talenti i tij nuk kufizohej vetëm te sporti. Ishte edhe nxënës i dalluar, veçanërisht në matematikë, prandaj regjistrohet në gjeneratën e parë të gjimnazit matematikor në Prishtinë. Por futbolli nuk mund të largohej prej tij,  në vitin 1973, ai luan për ekipin e juniorëve të Prishtinës. Pas një sezoni, kthehet në Dritë për një vit, e më pas vesh fanellën e KF Studentit nga Dobërqani, si shenjë respekti ndaj vendit ku kishte jetuar familja e tij.

Drita, dashuria e jetës dhe fundi i papritur

Nga viti 1976 deri në vitin 1981, Shengyli rikthehet te Drita, skuadra e zemrës së tij, duke qenë pjesë e pandashme e saj deri në fund të karrierës. Fundi, megjithatë, ishte i papritur dhe emocional. Një incident pas një ndeshjeje ndaj Vëllazërisë së Zhurit në Prizren, në vitin 1981, bëhet arsye që ai t’i varë këpucët në gozhdë. Zemra e tij nuk mundi ta përballojë zënkën dhe padrejtësinë që kishte përjetuar.

Sulmuesi i ëndrrave dhe goli i paharruar

Shengyl Imami ishte sulmuesi i ëndrrave, me driblim mjeshtër, gjuajtje të forta dhe precize, pasime të sakta dhe instinkt të lindur për të shënuar. Një gol që kurrë nuk ia heq dot nga mendja ishte ai ndaj skuadrës rivale lokale, Crvena Zvezda. Me elegancë, kaloi tërë mbrojtjen dhe portierin, por Drita humbi ngushtë 1:2.

Pas sportit, menaxher, donator dhe kulturëdashës

Pas përfundimit të karrierës aktive, ai vazhdoi të luante futboll të vogël deri në vitin 1990, pjesëmarrës në turne të shumta. Paralelisht, që nga viti 1976 punoi në Shtëpinë e Mallrave dhe më vonë si shef sektori në Vetëshërbim deri më 1990. Në atë vit sfidues, themelon agjencinë “FATI”, një pikë reference në kulturën vendore. Si menaxher dhe donator, organizon koncerte, inçizon shtatë kaseta humoristike, dhe sjell në Kosovë, përmes rrugëve ilegale, humoristin e njohur Koce Devolli nga Tirana.

Një trashëgimi që vazhdon edhe sot

Pas pavarësimit të sportit në Kosovë, Shengyli rikthehet te Drita si donator, e në vitet 2005–2007 merr drejtimin e klubit si drejtor. Dashuria për skuadrën “bardhekaltër” nuk i është shuar asnjëherë, zemra e tij rreh për Dritën njësoj si çdo enë gjaku. Djali i tij, Elviri, ka veshur fanellën e Dritës për disa vite, ndërsa tashmë dy nipat e tij janë pjesë e grupmoshave të reja.

Njeri i urtë, human dhe me shpirt sportiv

Shengyl Imami mbetet një emër i veçantë për futbollin gjilanas dhe atë kosovar. Njihet si njeri emocional, i dashur, me kulturë, urtësi dhe humanizëm, virtyte që i ka dëshmuar në çdo hap të jetës. Ai nuk flet për anën e tij humane, por shumëkush e di se ka ndihmuar pa bujë shumë familje dhe njerëz në nevojë.

 

Shpërndaj me të tjerët