Sherafedin Kadriu i befasoi me librin e tij të parë
Ajo që nisi si një ndejë private për kafe midis miqsh e krijuesish në Gjilan, u shndërrua papritur në një ngjarje të vogël letrare, kur Sherafedin Kadriu i befasoi të pranishmit me botimin e tij të parë me poezi: “Kur vdesin ngjyrat”.
Me iniciativën e Sabit Rrustemit, i njohur si organizator dhe mbështetës i pandalshëm i aktiviteteve kulturore, dhe në shoqërinë e artdashësve Gjylshene Berisha, Arsim Halili e Nexhat Rexha, kjo ndejë fillimisht kishte karakter miqësor, por përfundoi me një emocion të papritur, lindjen e një zëri të ri poetik.
Sherafedini, i njohur për përmbajtjen e tij dhe shpirtin e qetë, nuk priti fjalë lavdërimi apo duartrokitje. Ai zgjodhi t’u dhurojë miqve të tij më të çmuarën që ka: fjalët. Libri “Kur vdesin ngjyrat”, me një titull që tingëllon sa metaforik aq edhe i brishtë, u prit me admirim dhe reflektim.
Ky takim i thjeshtë por i thellë në ndjesi, solli një energji të rrallë, siç dinë të sjellin vetëm poezia dhe miqësia kur bashkohen natyrshëm. Asgjë nuk ishte zyrtare, as e planifikuar. Ishte vetëm një moment i bukur, që dëshmoi se poezia lind edhe në qoshe të qeta kafesh, në prani të atyre që dinë të dëgjojnë. Promovimi zyrtar i librit do të vijë më vonë, në një ambient publik dhe me praninë e lexuesve më të gjerë.