SHNV në Gjilan mbyll vitin 2025 me tregime frymëzuese nga Shemsije Shabani dhe Hazbie Sylaj

 

Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve (SHNV) në Gjilan ka përmbyllur aktivitetet për vitin 2025 me prezantimin e tregimeve frymëzuese të Shemsije Shabanit dhe Hazbie Sylajt, në kuadër të projektit “Ti je frymëzim”.

Shemsije Shabani është pjesë e këtij projekti dhe njihet për kreativitetin e saj në punimet artizanale.

Ajo ka marrë pjesë në panaire të ndryshme, ku punimet e saj janë vlerësuar pozitivisht, ndërsa ekspozimin e fundit e ka realizuar në Suharekë.

Përveç angazhimit krijues, Shabani kontribuon edhe si nënkryetare e Shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve në Gjilan.

Ndërkohë, Hazbie Sylaj punon si teknike e fizioterapisë në Spitalin e Gjilanit dhe është lexuese e pasionuar e librave, duke përdorur alfabetin e Brailit.

 Angazhimi i saj profesional dhe përkushtimi ndaj leximit përbëjnë një shembull pozitiv për komunitetin.

Tregimet e prezantuara gjatë këtij aktiviteti ofruan mesazhe motivuese dhe dëshmuan se përkushtimi, puna dhe aftësitë personale mund të shndërrohen në vlera të rëndësishme shoqërore.

Projekti “Ti je frymëzim” realizohet nga OJQ “Gruaja Hyjnore”, në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve në Gjilan dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit.

(Videoja e aktivitetit mund të ndiqet në vazhdim.)

 

Shpërndaj me të tjerët