Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit organizon Garën Ndërkombëtare Kangaroo 2026

Këtë vit, për rajonin e Gjilanit, organizimi i Garës Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo 2026 do të realizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit, e cila do të kujdeset për mbarëvajtjen profesionale të garës dhe për përfshirjen sa më të gjerë të nxënësve, duke vazhduar misionin e saj për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në matematikë.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, Bregan Isufi, i cili ka siguruar pjesëmarrësit se të gjitha detajet lidhur me afatet e regjistrimit, mënyrën e aplikimit dhe organizimin e garës do të bëhen të ditura me kohë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Ai ka theksuar se së shpejti do të hapet konkursi për regjistrim në këtë garë ndërkombëtare.

Gara Kangaroo përbëhet nga një test matematikor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, i ndarë sipas grupmoshave.

Ajo organizohet çdo vit në pothuajse mbarë botën dhe përfshin mbi 6 milionë nxënës nga rreth 80 shtete, duke u renditur ndër aktivitetet më të mëdha dhe më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e matematikës.

Problemet e Garës Kangaroo nuk janë detyra standarde të teksteve shkollore, por përfshijnë një gamë të gjerë temash matematikore, të dizajnuara për të nxitur të menduarit kreativ dhe logjik.

Ato kërkojnë imagjinatë, këmbëngulje, aftësi bazike llogaritëse, mendim të strukturuar dhe strategji të zgjuara për zgjidhjen e problemeve.

Shpërndaj me të tjerët