Shqipëria ka nisur vitin e ri shkollor 2025–2026 me një udhëzim administrativ që sjell masa konkrete për një arsim më të sigurt dhe më cilësor.
Ndër pikat kryesore janë: ndalimi i përdorimit të celularëve në shkolla, shpërndarja falas e teksteve për klasat I–IX, dhe forcimi i mekanizmave kundër dhunës dhe bullizmit përmes ekipeve “antibulling”, kodeve të etikës dhe aktiviteteve sensibilizuese.
Qëllimi është të krijohet një ambient më i shëndetshëm, ku fëmijët të mësojnë pa shpërqendrime dhe pa dhunë.
Ndërkohë, në Kosovë ligjet dhe udhëzimet për arsimin mbeten kryesisht në letër. Kodi i etikës i mësuesve nuk përfillet, ndërsa drejtuesit e arsimit në ministri dhe komunë shpesh emërohen mbi bazën e lidhjeve partiake, familjare ose preferencave politike, e jo sipas meritës dhe profesionalizmit. Ky politizim, mungesa e kompetencës dhe vendimet jo transparente kanë krijuar një krizë të thellë në shkolla: cilësia e mësimdhënies ka rënë dukshëm, bullizmi dhe dhuna janë të përhapura, ndërsa mekanizmat mbikëqyrës funksionojnë vetëm formal, pa ndikim real në përmirësimin e ambientit mësimor.
Po ashtu, pranimi i kuadrove të rinj dhe emërimet në pozita udhëheqëse shpesh bëhen në mënyrë të padrejtë, duke favorizuar lidhjet familjare dhe partiake mbi aftësinë dhe kualifikimin, çka dobëson më tej sistemin dhe besimin e qytetarëve.
Rezultati është i qartë: Kosova ndodhet në një krizë të plotë arsimore. Shkollat janë lënë pas dore, cilësia e mësimdhënies ka pësuar rënie drastike, bullizmi dhe dhuna janë të përhapura, ndërsa mekanizmat mbikëqyrës ekzistojnë vetëm në letër.
Për më tepër, në vend që të kultivohet profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj dijes, në shumë shkolla vërehet një orientim sipërfaqësor, ku vlerësimi i mësimdhënësve shpesh bazohet më shumë në paraqitje dhe dukje sesa në cilësi dhe rezultate.
Kjo e bën edhe më të dukshme krizën e thellë, ku arsimi nuk shihet si themel i së ardhmes, por si terren i shkatërruar nga politika dhe mungesa e seriozitetit.
Kjo situatë nuk është e re dhe nuk ka ndodhur vetëm vitet e fundit; për dekada me radhë, çdo qeveri që ka udhëhequr vendin ka neglizhuar arsimin, duke e lënë sistemin pa vëmendje dhe investime të nevojshme për të garantuar një mësim të cilësisë së lartë për të gjithë nxënësit.