Afrim Shala prezanton botimin e ri të praktikës gjyqësore në kuadër të “Ditëve të Gjyqësorit 2025”
Njëri ndër gjyqtarët më të respektuar dhe më të avancuar të sistemit të drejtësisë në vend, gjilanasi Afrim Shala, ka publikuar një tjetër botim me vlerë të lartë profesionale, i cili pritet të shërbejë si udhërrëfyes veçanërisht për gjeneratat e reja të juristëve.
Në kuadër të Ditëve të Gjyqësorit 2025, gjyqtari i Gjykatës Supreme prezantoi publikimin e ri me raste të përzgjedhura, që synojnë ta bëjnë praktikën gjyqësore më të qasshme dhe më të kuptueshme si për profesionistët e drejtësisë, ashtu edhe për publikun.
Shala theksoi se botimi përmbledh raste që gjykatat i hasin shpesh, duke ofruar një pasqyrë të qartë të mënyrës së arsyetimit të vendimeve dhe të standardeve që sigurojnë qëndrueshmëri në praktikën gjyqësore.
Sipas tij, përmbledhja është një mjet praktik për gjyqtarë, prokurorë dhe juristë në punën e tyre të përditshme, por edhe një hap drejt rritjes së transparencës për qytetarët që duan të kuptojnë më mirë funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Ai vlerësoi kontributin e gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në realizimin e botimit dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të iniciativave që forcojnë qasjen, transparencën dhe besueshmërinë në drejtësi.

