Skandal në Poloni: Baneri provokues kundër Kosovës në ndeshjen e Champions

 

Skandalet me mesazhe kundër Kosovës nuk kanë të ndalur dhe po shfaqen gjithnjë e më shpesh në stadiume ndërkombëtare. Këtë herë, ngjarja erdhi nga Polonia, në stadiumin e qytetit Poznan, ku tifozët vendas nuk hezituan të shpalosnin një baner me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Gjithçka ndodhi gjatë ndeshjes mes Lech Poznan dhe Crvena Zvezdës së Beogradit, e vlefshme për kualifikueset e Champions League, ku skuadra polake u mund 1-3.
Pamjet e banerit provokues bënë shpejt xhiron e rrjeteve sociale, duke shkaktuar reagime të shumta. Ajo që e bën edhe më të rëndë rastin është fakti se vetë klubi i Crvena Zvezdës falënderoi publikisht tifozët polakë për “gjestin” e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla skandaloze, pasi edhe më herët janë shënuar incidente të ngjashme, ku sporti është përdorur për mesazhe politike dhe provokuese.

E veçmas, dihet botërisht se tifozët e Crvena Zvezdës janë të njohur për qëndrimet e tyre nacionaliste dhe për përhapjen e urrejtjes etnike nëpërmjet thirrjeve dhe simboleve provokuese.

Edhe për këtë rast, FFK-ja e Kosovës duhet të reagojë sa më shpejt.

 

 

Shpërndaj me të tjerët