Soliteri, “Kulla” që e identifikon Gjilanin
Një ndërtesë 13-katëshe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën urbane dhe simbolikën e qytetit
Çka është soliteri?
Soliteri është ndërtesa më e lartë e banimit në qytetin e Gjilanit, me gjithsej 13 kate dhe 55 banesa, të cilat fillojnë nga kati i tretë e deri në katin e 12-të. Në katin e 13-të, dikur ndodhej selia e Radio Gjilanit, një tjetër institucion me peshë në historinë lokale.
Struktura e banesave
Në këtë ndërtim shumëkatësh, banesat janë të organizuara në mënyrë të veçantë: në katet tek (3, 5, 7, 9, 11) janë nga 5 banesa për kat, kurse në katet çift (4, 6, 8, 10, 12) janë nga 6 banesa për kat
Banesat përfshijnë tipologji të ndryshme, njëdhomëshe, dydhomëshe e tridomëshe, dhe shumica kanë nga dy ballkone, varësisht nga sipërfaqja e përgjithshme.
Ashensori i parë
Katet nga 0 deri në të 2-tin nuk ishin të destinuara për banim. Aty funksiononin ndërmarrja e njohur “Pomoravlje” dhe “Bankosi”, banka themelore e Kosovës.
Soliteri kishte edhe një nga ashensorët e parë funksionalë në ndërtesa banimi në Gjilan, i cili në atë kohë ishte një atraksion më vete për fëmijët e shkollës fillore “Vuk Karaxhiq” dhe të lagjeve tjera.
Ndërtuar me standarde dhe qëndrueshmëri të lartë
Ndërtimi i soliterit filloi në vitin 1974 dhe përfundoi në 1978. Sipas ekspertëve të ndërtimit, ai ka rezistencë të lartë ndaj tërmeteve, falë ndërtimit me standarde profesionale dhe materiale cilësore.
Risi të kohës: ngrohja qendrore dhe sistemi i mbeturinave
Në fillim, ndërtesa kishte ngrohje qendrore me naftë, por me kalimin e viteve sistemi u ndërpre dhe banorët u orientuan në zgjidhje individuale. Po ashtu, ekzistonte një sistem i centralizuar për hedhjen e mbeturinave nga çdo kat, i cili për fat të keq nuk funksionoi gjatë.
Simbol urban dhe pjesë e logos së qytetit
Soliteri është simbol i zhvillimit të Gjilanit në vitet ’70–’80. Madje, në logon zyrtare të Komunës së Gjilanit përfshihet silueta e kësaj ndërtese, dëshmi e rëndësisë dhe vendit që zë në identitetin e qytetit.
Banorët e parë, një pasqyrë e shoqërisë së atëhershme urbane
Banesat në soliter ipeshin nga institucionet publike, shtetërore e shoqërore, në bazë të kritereve të punës dhe pozitës profesionale.
Në këtë ndërtesë gjenin strehë:punëtorë të ndërmarrjeve publike, teknikë dhe inxhinierë,mjekë, mësimdhënës, ekonomistë, juristë, drejtorë shkollash e ndërmarrje shoqërore dhe drejtues të lartë të institucioneve komunale.
Kjo përbërje e larmishme e bënte soliterin një pasqyrë të gjallë të shtresës urbane dhe elitës punëtore të asaj kohe. Jetesa aty shoqërohej me rregull, mirëkuptim dhe krenari për të qenë pjesë e një ndërtese që përfaqësonte përparimin.
Rikonstruktimi, fasadim i nevojshëm, por me kujdes për origjinalitetin
Sot, soliteri po i nënshtrohet një procesi të fasadimit dhe përmirësimit të jashtëm. Por është thelbësore që gjatë këtij rikonstruktimi të ruhet origjinaliteti arkitektonik, që për dekada ka qenë simbol identifikues i qytetit.
Soliteri nuk është vetëm një ndërtim banimi, ai është pjesë e trashëgimisë urbane dhe kujtesës kolektive të Gjilanit.