Sot zhvillohet derbi Gjilani–Drita, përballja më e zjarrtë e futbollit kosovar

 

Sot në ora 15:00, në stadiumin me bari artificial në Gjilan, zhvillohet derbi i zjarrtë lokal mes dy rivalëve të mëdhenj, Gjilanit dhe Dritës, në kuadër të javës së 8-të të AlbiMall Superligës së Kosovës.

Gjilani në këtë përballje hyn me ndryshime në bankinë, pasi trajneri Ardian Nuhiu është larguar nga skuadra, ndërsa drejtimin e përkohshëm e ka marrë trajneri i përgatitjes fizike, Orhan Abdi.

Ai deklaroi se njohja e mirë me kundërshtarin dhe dëshira e lojtarëve për fitore do të jenë armët kryesore të kuqebardhëve në këtë derbi.

Në anën tjetër, kampioni aktual Drita vjen pas barazimit të rëndësishëm në garat evropiane kundër KuPS në Finlandë.

Trajneri Zekirija Ramadani theksoi se në ndeshje të tilla shpesh vendosin detajet, gabimet individuale ose momentet e veçanta, por për të më e rëndësishme është angazhimi maksimal dhe arritja e fitores.

Gjilani aktualisht është në vendin e fundit me 7 pikë, ndërsa Drita mban pozitën e tetë me 8 pikë.

Ky derbi mbetet i paparashikueshëm dhe pritet të sjellë një sfidë të fortë, emocionuese dhe të mbushur me rivalitet deri në fund.

 

 

Shpërndaj me të tjerët