Komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Arben Avdyli, ka vizituar Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr. Afrim Cana, të cilit i ka ndarë një mirënjohje në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërinstitucional.
Me këtë rast, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr. Afrim Cana, u shpreh se është nder dhe kënaqësi të pranojë këtë mirënjohje nga përfaqësuesit e FSK-së, duke theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet prioritet i vazhdueshëm i institucionit që ai drejton.
Ai shtoi se shërbimi ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, ashtu si ndaj të gjithë pacientëve, është obligim profesional dhe mision i përhershëm.
Nga ana e tij, nënkolonel Arben Avdyli falënderoi Drejtorin Cana për bashkëpunimin korrekt dhe për gatishmërinë e treguar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa herë që ato janë kërkuar.
Ai theksoi se Spitali i Përgjithshëm në Gjilan gjithmonë ka dëshmuar profesionalizëm dhe korrektësi në ofrimin e shërbimeve ndaj pjesëtarëve të FSK-së.
