Nga data 4 deri më 7 dhjetor 2025, në Venecia të Italisë po zhvillohet gara prestigjioze WKF Karate 1 – Youth League, një ndër kompeticionet më të fuqishme në botë për kategoritë e reja U14, Kadet, Junior dhe U21, me afro 4,000 pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Në këtë event të madh, Gjilani përfaqësohet nga disa sportistë të rinj me potencial të lartë.
Nga K.K. AS-Gjilan marrin pjesë: Xhan Ilijazi, U14 -50 kg, Erina Sherifi, Kadete -54 kg.
Në garë është edhe një shqiptar tjetër, Dardan Jahiu, i cili përfaqëson Australinë në kategorinë Kadet -70 kg.
Ai ka qenë për një muaj në përgatitje intensive në Gjilan, nën drejtimin e trajnerit Alban Beqiri, i cili do ta udhëheqë edhe gjatë garës.
“Dardan Jahiu ka kryer përgatitje njëmujore te ne dhe në këtë garë do të jetë nën mbikëqyrjen time,” ka deklaruar trajneri Beqiri.
Gjilani përfaqësohet gjithashtu edhe nga klubi “Agim Ramadani”, me sportistët: Tuana Bilalli, Amra Demaj, Elma Bilalli, Amar Daku.
Sipas trajnerit Beqiri, konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë dhe akreditimi ka qenë i vështirë për shkak të numrit të kufizuar të vendeve dhe kërkesës së lartë.
Youth League vlerësohet si gara më e madhe dhe më e fortë në botë për këto kategori, madje më e madhe se disa kampionate botërore, për shkak të numrit rekord të pjesëmarrësve.
Sot dhe nesër në garë janë juniorët, të shtunën kadetët, ndërsa të dielën garojnë sportistët e grupmoshës U14.
