Profesori i matematikës në ish-Shkollën e atëhershme të Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan, tashmë Universiteti “Kadri Zeka” ka rikthyer në kujtesë kohën e protestave të studentëve të vitit 1997, duke ndarë me nostalgji dhe emocione përvojat e asaj periudhe në rrjetin e tij social.
Protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor 1997 i parapriu formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimit të luftës për çlirimin e vendit. Në këtë mobilizim, iu bashkuan edhe studentët dhe profesorët e ish-Shkollës së Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan, duke qëndruar ballë për ballë me kordonin e policisë serbe.
Përveç studentëve dhe mësimdhënësve të këtij institucioni akademik, në protesta morën pjesë edhe nxënës dhe mësimdhënës të shkollave të mesme, si dhe qytetarë të shumtë, duke e bërë atë një situatë të tensionuar dhe të vështirë, por njëkohësisht historike për qytetin dhe vendin.
Kjo ditë mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së rezistencës studentore dhe e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.