Përfundon seria e prezantimeve të projekteve në lëndën Web Dizajn i Avancuar në UP “Kadri Zeka”
Ka përfunduar me sukses seria e prezantimeve të projekteve në lëndën Web Dizajn i Avancuar (WDA), e realizuar nga studentët e Vitit III të programit bachelor Shkenca Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Projektet e prezantuara janë ndërtuar duke përdorur Laravel (PHP & MySQL) dhe janë fokusuar në krijimin e aplikacioneve web dinamike, me theks të veçantë në implementimin e funksionaliteteve CRUD, duke dëshmuar përgatitje solide teorike dhe aftësi të avancuara praktike të studentëve.
Gjatë këtij semestri, në kuadër të kësaj lënde ka marrë pjesë edhe një studente Erasmus nga Turqia, e cila ka kontribuar në pasurimin e përvojës akademike dhe kulturore të studentëve. Universiteti Publik “Kadri Zeka” vazhdon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programeve Erasmus+, duke krijuar mundësi të reja shkëmbimi dhe zhvillimi akademik.
Studentët kanë treguar kreativitet, përkushtim të lartë dhe aftësi të mira praktike, duke reflektuar seriozitet dhe pjekuri profesionale në realizimin e projekteve.
“Jam krenar për punën, angazhimin dhe rezultatet e arritura nga studentët. Projektet e prezantuara tregojnë qartë se ata janë të gatshëm të përballen me sfidat e zhvillimit modern të aplikacioneve web,” Dr. Sc. Pajtim Vela, mësimdhënës i lëndës Web Dizajn i Avancuar
Ky aktivitet përmbyll me sukses një semestër të frytshëm akademik dhe shënon një hap të rëndësishëm në formimin profesional të studentëve të Shkencës Kompjuterike në UP “Kadri Zeka”.

