Studiuesi gjerman Clewing ligjëron për Kosovën dhe BE-në në UKZ

 

Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan mbajti sot një ligjëratë të hapur me studiuesin ndërkombëtar, Konrad Clewing, nga Instituti Leibniz për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore (IOS) në Regensburg të Gjermanisë.

Në ligjëratën e tij me titull “Lufta dhe Zgjerimi: Kosova 1998/99 si pikë kthese në politikën e BE-së ndaj Ballkanit”, Clewing theksoi se konflikti i viteve 1998/99 në Kosovë ishte momenti vendimtar që e detyroi Bashkimin Evropian të ndryshonte qasjen ndaj rajonit.

Sipas tij, krijimi i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore (1999) dhe ofrimi i një perspektive të qartë integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor erdhën si përgjigje direkte ndaj krizës në Kosovë.

Ai argumentoi se shpesh literatura e anashkalon peshën e vitit 1999, duke nisur analizën nga Samiti i Selanikut 2003, ndërsa në fakt Kosova ka luajtur rol të tërthortë, por vendimtar, në formësimin e politikave të reja evropiane për rajonin. Clewing foli gjithashtu për ndikimin kyç të diplomacisë gjermane në këtë proces dhe për mënyrën se si BE-ja ndërtoi një qasje të re multilateraliste dhe përfshirëse për Evropën Juglindore.

Ligjërata u shoqërua me diskutime të hapura nga studentët dhe stafi akademik, të cilët adresuan çështje mbi rolin e BE-së në konfliktet e ’90-ës, të ardhmen e zgjerimit, pozitën aktuale të Kosovës dhe sfidat konceptuale të termit “Ballkani Perëndimor”.

Studiuesi i inkurajoi studentët të hulumtojnë më thellë literaturën historike dhe të analizojnë zhvillimet ndërkombëtare përtej narrativave sipërfaqësore.

Kontributi i Clewing solli një perspektivë të vlefshme akademike, duke pasuruar debatin universitar për historinë dhe integrimin evropian të rajonit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët