Pingpongistja e talentuar e Klubit të Pingpongut Gjilani, Zana Bllaca, ka shkëlqyer në Turneun “Gani Maloku”, të mbajtur gjatë fundjavës në Ferizaj, duke zënë vendin e parë në kategorinë U11 dhe të dytin në U13.

Përveç saj, edhe bashkëlojtarja Siuta Kosumi ka arritur rezultat të shkëlqyer, duke u renditur e treta në U11, ndërsa Melisa Kosumi ka siguruar vendin e tretë në U13, duke e bërë paraqitjen e vajzave të klubit gjilanas edhe më të suksesshme.
Një tjetër befasi e këndshme për KP Gjilanin ishte paraqitja e Adea Kullës në kategorinë U19, e cila mori vendin e dytë, pasi arriti të mposhtë edhe një kundërshtare nga Greqia në xhiron e dytë.
Ndërkaq, një moment i veçantë i turneut ishte edhe ndeshja e Zana Bllacës (U9) kundër pingpongistes greke (U15), ku Zana, megjithëse shumë më e re, arriti të fitojë dy sete dhe humbi finalen me rezultat të ngushtë 3:2, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe guximin e saj të jashtëzakonshëm.
Në këtë turne morën pjesë përfaqësues nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duke e bërë garën ndërkombëtare dhe jashtëzakonisht konkurruese.
Ky sukses i vajzave të KP Gjilanit është dëshmi e punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe përgatitjeve profesionale që po zhvillohen në këtë klub, i cili vazhdon të kultivojë breza të rinj të pingpongistëve të talentuar që po e përfaqësojnë me dinjitet qytetin e Gjilanit.


