Sukses ndërkombëtar për UKZ , fiton pesë projekte të reja Erasmus+, njëra si koordinator

 

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare të arsimit, duke fituar pesë projekte të reja në kuadër të programit të Bashkimit Evropian Erasmus+ CBHE (Capacity Building in Higher Education). Në njërin nga projektet, UKZ do të ketë edhe rolin e koordinatorit, që është një arritje e rrallë për universitetet në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Dukagjin Leka, i cili ka vlerësuar përkushtimin dhe punën ekipore të stafit akademik e administrativ të universitetit. Ai ka falënderuar veçanërisht Rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku për mbështetjen e vazhdueshme drejt ndërkombëtarizimit të institucionit.

Këto projekte do të përfshijnë bashkëpunime me universitete partnere nga Shqipëria, vendet e BE-së dhe Afrika, duke synuar përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, modernizimin e kurrikulave, avancimin e metodave të mësimdhënies dhe integrimin e teknologjisë në proceset akademike.

 “Kjo është një arritje e madhe për universitetin tonë, që forcon pozitën e UKZ-së si institucion serioz dhe aktiv në projekte ndërkombëtare”, është shprehur Prof. Leka.

 

Shpërndaj me të tjerët