Sulmuesi kosovar që po çmend Evropën, Bayern dhe Barça në ndjekje

Interesi për Fisnik Asllanin po rritet me shpejtësi dhe emri i tij po përmendet gjithnjë e më shumë në qarqet e futbollit evropian.

Bayern Munich dhe Barcelona, dy prej klubeve më të mëdha në botë, janë hedhur në kërkim të një qendërsulmuesi të ri, duke menduar për epokën pas Harry Kane dhe Robert Lewandowskit, dy yje të mëdhenj, por tashmë në fazën e fundit të karrierës.

Dhe mes shumë emrave, në krye të listës është sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani.

“Sky Sport” raportoi kohë më parë se Bayern Munich po monitoron nga afër formën e bomberit të Hoffenheim.

23-vjeçari po zhvillon sezonin më të mirë të karrierës, duke shënuar 5 gola në 10 ndeshje me klubin dhe duke shpërthyer edhe me Kosovën me gola të rëndësishëm. Pas Bayernit, skenës iu shtua edhe Barcelona.

Mediat spanjolle zbuluan se përfaqësues të klubit katalanas kishin ardhur në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta parë Asllanin nga afër në ndeshjen kundër Zvicrës.

Edhe pse atë natë sulmuesi nuk arriti të shënojë, interesimi i Barçës mbetet i gjallë.

Ajo që dihet me siguri është se vera e ardhshme pritet të sjellë shumë lëvizje rreth emrit të Fisnik Asllanit.

Nëse Kosova arrin ta mbyllë historinë e madhe dhe të shkojë në Botëror, atëherë gara për të mund të shpërthejë edhe më shumë, dhe çmimi i tij të rritet ndjeshëm.

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët