Shefik Surdulli, kandidat për këshilltar komunal nga radhët e PDK-së dhe veteran i UÇK-së, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, që të zbatojë vendimin e Kuvendit Komunal të datës 30 qershor 2021, për inkorporimin e një pjese të burgut të qytetit si “Burg-Muze” në kuadër të projektit të Administratës Komunale.
Sipas Surdullit, ky vendim u mor pas kërkesës së Shoqatës së të Burgosurve Politik në Gjilan, që një pjesë e burgut famëkeq serb të mos zhduket krejtësisht, por të konservohet dhe të shndërrohet në muze, si dëshmi historike për brezat e ardhshëm mbi sakrificat e djalërisë shqiptare për lirinë e Kosovës.
“Pse duhet të injorohet një kërkesë e tillë simbolike dhe e arsyeshme?”, ka pyetur Surdulli, duke rikujtuar se më 25 mars 2021, si këshilltar komunal i PDK-së, kishte ngritur publikisht këtë iniciativë në seancën e Kuvendit Komunal.
Ai ka shtuar se edhe atëherë ishte siguruar nga nënkryetari i komunës dhe drejtori i Urbanizmit se një pjesë e burgut do të inkorporohej në projektin ideor të Administratës Komunale, e cila është paraparë të ndërtohet pikërisht në hapësirën e kompleksit aktual të burgut.
“Burg-Muzeu”, sipas tij, nuk është thjesht një objekt, por një kujtesë e gjallë për vuajtjet dhe sakrificat e shqiptarëve, që nuk duhet lejuar të humbasin mes ndërtimeve të reja.