Shefik Surdulli, kandidat për Kuvendin Komunal në Gjilan nga radhët e PDK-së, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm në llogarinë e tij në Facebook, duke bërë thirrje emocionale për rikthimin e aktivistëve dhe bashkëveprimtarëve të dikurshëm në shtëpinë e tyre politike.
Në postimin e tij, Surdulli u drejtua me tone të ndjera ndaj të gjithë atyre që janë larguar për arsye të ndryshme, që janë tërhequr në heshtje apo janë ndjerë të anashkaluar:
“Ti, që ke qenë pjesë e themelimit dhe ngritjes së PDK-së në Gjilan, ti që ke shpresuar për një politikë më të mirë e u zhgënjeve, ti që u ndave prej nesh nga gabimet tona – KTHEHU! Bashkohu me ne, me bashkëveprimtarët e tu.
Të presim me përulje dhe kërkim falje, që ta rinisim bashkë rrugën e shpresës dhe të sukseseve të reja.”
Ai e përkujtoi sakrificën dhe idealin mbi të cilin u ndërtua PDK-ja, duke e cilësuar si parti të themeluar nga luftëtarët e lirisë, ndërsa theksoi se çdo rikthim është i domosdoshëm për fuqizimin e degës së Gjilanit.
“Unë jap fjalën time se me autoritetin, potencialin tim intelektual, moral e politik, do të angazhohem që secili të ndjehet i barabartë, i respektuar dhe i vlerësuar siç e meriton.
Kthehuni, sepse së bashku mund të ngremë sërish flamurin e fitores,” tha ai.
Surdulli e përmbylli mesazhin e tij me një thirrje të fuqishme:
“KTHEHU, aty ku me entuziazëm dhe vrull ngritëm PDK-në, partinë e shpresës, që e ndërtuam bashkë me mund, sakrificë dhe dashuri për Kosovën.”
Ai njihet si një personalitet kyç në skenën politike lokale, boshti rreth të cilit janë mbledhur e janë zgjatur fijet vepruese të PDK-së në Gjilan.