Veterani i UÇK-së, Shefik Surdulli nga Gjilani, e vlerëson pjesëmarrjen rekord në protestën kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë.
“Nuk ka popull në botën e civilizuar demokratike që heq dorë nga çlirimtarët e tij apo që i dënon ata. Atëherë, pse Kosova dhe populli i saj duhet të jenë përjashtim?”
Protesta e djeshme për drejtësi, kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale në Hagë, u shënua me një pjesëmarrje masive si asnjëherë më parë. Kështu e vlerësoi edhe Shefik Surdulli, veteran i UÇK-së, i cili ishte ndër të parët që shprehu mllefin dhe kundërshtimin ndaj padrejtësisë që po ndodh ndaj liderëve dhe luftëtarëve të lirisë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Pjetër Shala e të tjerë të arrestuar padrejtësisht.
Mesazhi i protestës ishte i qartë: Ky është populli i Kosovës! Nuk ka popull tjetër në emër të të cilit Gjykata Speciale mund të dënojë çlirimtarët tanë, që na sollën lirinë. Kjo gjykatë mund të veprojë vetëm në emër të Serbisë, por kurrsesi në emër të popullit të Kosovës.
Ky moment përbën një thirrje për të gjithë ne, qytetarë, institucione dhe përfaqësues, që të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave dhe historisë sonë. Drejtësia për çlirimtarët tanë nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe themeli i shtetit dhe identitetit tonë. Vetëm me një qëndrim të vendosur mund të sigurojmë që e kaluara jonë të respektohet dhe e ardhmja të ndërtohet mbi drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.