Të gjithë shqiptarët në prag të Botërorit, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me një këmbë në play-off

 

Për herë të parë në histori, të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve administrativ, mund të ëndërrojnë të luajnë në finalet e Botërorit 2026.

Tre kombëtare ku luajnë shqiptarë, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, po tregojnë rezultate imponuese në eliminatoret dhe të gjitha kanë shanset për të siguruar biletën për në play-off.

Shqipëria, pas fitores ndaj Serbisë, mban vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, katër më pak se Anglia që ka biletën direkte për në finale.

Kosova ka bërë hapin vendimtar me triumfin ndaj Suedisë dhe tani ndodhet në vendin e dytë të Grupit B me 7 pikë, tre më pak se kryesuesit e Zvicrës dhe katër më shumë se Sllovenia.

Një barazim në sfidën e parë të nëntorit kundër Sllovenisë mund t’i sigurojë “Dardanëve” vendin në play-off.

Maqedonia e Veriut gjithashtu luan për dy mundësi: vendin e parë ose play-off.

Me golin e Enis Bardhit, të zgjedhur nga UEFA si më i bukuri i tetorit, ekipi barazoi 1-1 ndaj Kazakistanit dhe zbriti në vendin e dytë të Grupit J me 13 pikë, vetëm një më pak se Belgjika.

Në variantin minimal, të tre kombëtaret mund të luajnë në play-off, megjithëse nuk mund të përballen me njëra-tjetrën në këtë fazë.

Të tria  janë renditur në vazon e tretë të shortit, që do të përcaktojë përballjet drejt finaleve që do të zhvillohen në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

 

 

 



 

 

Shpërndaj me të tjerët