Avancimi i teknologjisë po lehtëson gjithnjë e më shumë punën e mësimdhënësve, duke shtuar njëkohësisht edhe interesimin e nxënësve për mësim.
Përmes mjeteve digjitale, nxënësit mund të prekin, shohin, krijojnë dhe ruajnë të dhëna, duke krijuar kështu një ndërlidhje të natyrshme ndërmjet fushave të ndryshme mësimore.
Sot, pothuajse të gjitha klasat duhet të jenë të pajisura me tabela të mençura, që mësimdhënësit t’i shfrytëzojnë në varësi të njësisë mësimore për zhvillim më cilësor të procesit të mësimit.
Nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan, të udhëhequr nga prof. mr.sc. Nevazt Nevzati, morën pjesë në një aktivitet interaktiv kushtuar identifikimit të elementeve natyrore të Europës.
Përmes hartave, fotografive dhe lojërave gjeografike, ata patën mundësi të njohin dhe dallojnë veçoritë natyrore të kontinentit.
Profesor Nevzati e vlerësoi këtë orë mësimore si jashtëzakonisht të dobishme dhe produktive, duke theksuar se aktivitetet e tilla rrisin motivimin, përfshirjen dhe efikasitetin në mësimnxënie.
Ai, përveç përgatitjes së lartë akademike, është trajner republikan për kurrikulën në fushën “Shoqëria dhe mjedisi”, përfshirë edhe disa programe të tjera arsimore, si dhe bashkautor i librit të mësuesit për Gjeografi, botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”.