Avdyl Kastrati, me një përvojë mbi 13-vjeçare në financa, kontabilitet dhe auditim, i ka dhënë vetes dije të thelluara se si të menaxhohet drejt buxheti publik, të luftohet shpërdorimi i mjeteve dhe të sigurohet që resurset e komunës të kthehen aty ku u takojnë, te qytetarët.
Këto përvoja e kanë shtyrë që në zgjedhjet lokale të këtij viti të kandidojë për këshilltar komunal në Kuvendin e Komunës së Gjilanit.
“Garoj për një përfaqësim të ndershëm e me vizion”
Kastrati thotë se motivimi i tij për të hyrë në garën politike vjen nga bindja se Gjilani ka nevojë për një përfaqësim të drejtë, të përgjegjshëm dhe të bazuar në transparencë.
“Synimi im është që të jem zëri i qytetarëve të zakonshëm, i bizneseve të vogla, i fermerëve, i të rinjve dhe sportistëve, duke punuar për më shumë investime në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizim, arsim, kulturë dhe sport,” shprehet Kastrati.
Profesionalizëm dhe përvojë solide
Avdyli ka përfunduar Master në Ekonomi dhe është i specializuar në kontabilitet, me njohuri të thelluara mbi legjislacionin tatimor në Kosovë, menaxhimin financiar dhe raportimin fiskal.
Ai ka punuar si Zyrtar i Auditimit të Brendshëm, Inspektor Tatimor, Kontabilist, si dhe ushtrues detyre i Sekretarit të shkollës në Dobërçan.
Përvoja e tij përfshin edhe hartimin e raporteve financiare, auditime dhe vlerësime të riskut, duke treguar aftësi të avancuara analitike dhe përkushtim ndaj transparencës e llogaridhënies.
Një profil i afërt me qytetarët
Përveç profesionalizmit, Avdyli njihet si person komunikues, i drejtë, i sinqertë dhe gjithmonë i gatshëm të ndihmojë të tjerët.
Ai ka kryer shumë trajnime profesionale, zotëron njohuri të avancuara në programet e Microsoft Office dhe flet disa gjuhë të huaja, angleze, turke dhe serbokroate.
Ky kombinim i profesionalizmit me karakterin njerëzor e bën atë një kandidaturë të afërt me qytetarët, sidomos me të rinjtë që synojnë të zhvillohen në ekonomi dhe administratë.
Numri 32 në listën e Vetëvendosjes
Në këto zgjedhje lokale, Avdyl Kastrati garon me numrin 32 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Ai premton se me punë, përkushtim dhe vizion, do të jetë zëri i qytetarëve dhe shembull i shërbimit të ndershëm.