Tri skuadra shqiptare në garë për historinë, sot luhen ndeshjet e kthimit në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve rikthehet sot me ndeshjet e kthimit të turit të parë kualifikues, dhe vëmendja është e përqendruar te tre përfaqësueset shqiptare:Drita,  Egnatia dhe Shkëndija, të cilat do të synojnë kalimin në raundin tjetër.

Drita, kampionia e Kosovës, do të zbresë në fushë me moral të lartë ndaj Differdange, pasi nga takimi i parë në Luksemburg ka një epërsi të rëndësishme prej 1-0. Klubi nga Gjilani do të kërkojë të menaxhojë rezultatin dhe të vazhdojë marshimin europian.

Shkëndija e Tetovës do të luajë në shtëpi përballë The New Saints nga Uellsi. Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në transfertë, skuadra maqedonase ka të gjitha shanset për të siguruar kualifikimin para tifozëve të vet.

Ndërkohë, kampionët e Shqipërisë, Egnatia, do të luajnë në Islandë ndaj Breidablik, duke nisur ndeshjen në orën 21:00. Fitorja 1-0 në Rrogozhinë u jep një avantazh të lehtë, por të rëndësishëm, që do të kërkojnë ta mbrojnë në tokën islandeze.

Të tre skuadrat shqiptare mbeten në pozita të favorshme për kualifikim, një hap i madh drejt historisë për secilën prej tyre në garën më të madhe europiane për klube.

 

 

Shpërndaj me të tjerët