Në oborrin e shkollës së fshatit Zarbicë, në Malësinë e Bujanocit, u mbajtën “Takimet e Vendlindjes Zarbica 2025”, për të shënuar 20-vjetorin e këtij tradicioni që nisi në vitin 2005, pas shpërnguljes me dhunë nga forcat serbe.
Edhe pse sot Zarbica ka mbetur me pak banorë, mund të numërohen me gishta, fshati çdo verë merr jetë nga mërgimtarët, të cilët me mall e dashuri rikthehen për të kujtuar rrënjët, njerëzit dhe historinë.
Organizatorët kishin përgatitur një program të larmishëm kulturor e sportiv, me pjesëmarrje të gjerë të ardhurish nga vende të ndryshme të botës, kryesisht nga mërgata, që tashmë janë bërë zemra dhe shpirti i kësaj ngjarjeje tradicionale.
Për të pranishmit, kjo ditë nuk ishte vetëm një tubim festiv. Ata patën mundësinë të vizitonin shtëpitë e tyre të dikurshme, tokat, vendet ku janë rritur dhe të preknin me mall gjurmët e historisë së familjeve të tyre. Ishte një rikthim emocional, që forcon lidhjen shpirtërore me vendlindjen, sado e braktisur të jetë ajo sot.
“Malësia po ngjallet dhe ajo do të jetojë për sa të ketë jetë tokë shqiptare”, ishte mesazhi i përbashkët që përshkoi këtë përvjetor simbolik në një fshat që nuk harrohet, edhe pse është gati i zbrazur, është i gjallë në zemrat e bijve të saj.