UKZ dhe ASHAK nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

 

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës  kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me karakter strategjik, e cila synon forcimin e kapaciteteve akademike dhe kërkimore-shkencore, zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit të lartë, si dhe rritjen e ndikimit shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Marrëveshja u nënshkrua në Prishtinë nga Kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka Pula, dhe Rektori i Universitetit  Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Sipas marrëveshjes u vendos një kornizë e institucionalizuar bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, të orientuar drejt avancimit të kërkimit shkencor, inovacionit, etikës akademike dhe zhvillimit të programeve të studimeve të orientuara nga kërkimi.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ASHAK do të ofrojë mbështetje këshilluese dhe akademike për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, veçanërisht në zhvillimin strategjik të kërkimit shkencor, forcimin e standardeve akademike, ndërtimin dhe konsolidimin e shkollave doktorale dhe programeve të doktoraturës, si dhe në promovimin e integritetit dhe etikës në kërkim. Ndërkohë, Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të kontribuojë në zbatimin e aktiviteteve kërkimore-shkencore, ndërtimin e kapaciteteve akademike dhe përfshirjen aktive të stafit dhe studentëve në projekte të përbashkëta kërkimore.

Bashkëpunimi do të shtrihet në fusha prioritare si shkencat shoqërore dhe humane, arsimi, kultura, ekonomia dhe biznesi, burimet natyrore dhe mjedisi, ndryshimet klimatike, bujqësia, shëndeti dhe bioekonomia, tranzicioni i gjelbër dhe dixhitalizimi. Po ashtu, marrëveshja parasheh bashkëpunim të ngushtë në botime shkencore, projekte editoriale të përbashkëta, organizimin e konferencave shkencore, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në programet evropiane dhe ndërkombëtare të kërkimit shkencor.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, vlerësoi se kjo marrëveshje paraqet një moment të rëndësishëm për zhvillimin institucional të Universitetit dhe për forcimin e profilit të tij kërkimor-shkencor. Ai theksoi se bashkëpunimi me ASHAK-un do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë akademike, në fuqizimin e kapaciteteve kërkimore të stafit dhe studentëve, si dhe në ndërkombëtarizimin e veprimtarisë shkencore të Universitetit “Kadri Zeka”.

Nga ana e saj Kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka Pula, theksoi se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të Akademisë si autoritet shkencor kombëtar dhe mbështetës i zhvillimit të arsimit të lartë në vend. Ajo u shpreh se ASHAK do të angazhohet aktivisht në ofrimin e ekspertizës akademike dhe shkencore, me qëllim rritjen e cilësisë së kërkimit, avancimin e shkollave doktorale dhe harmonizimin e aktiviteteve kërkimore me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm ndërinstitucional, në funksion të zhvillimit të shkencës, arsimit të lartë dhe shoqërisë në Kosovë.

 

Shpërndaj me të tjerët