Center for Cooperation and Networking of Organizations (CCNO), në bashkëpunim me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ka përmbyllur me sukses një kamp/workshop dyditor me temën “E Drejta Pronësore me Bazë Gjinore – Vetëdijesimi i të Rinjve për të Drejtat Pronësore”, me qëllim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të të rinjve mbi të drejtat pronësore nga perspektiva e barazisë gjinore.
Hapja e workshop-it u bë nga Mediana Bislimi, Drejtoreshë Ekzekutive e CCNO-s, e cila theksoi rëndësinë e fuqizimit të të rinjve përmes edukimit juridik dhe promovimit të barazisë gjinore.
Ndërsa Vaxhid Sadriu, Prodekan i Fakultetit Juridik në UKZ, vuri në pah rolin e institucioneve akademike në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë, duke theksuar se e drejta pronësore është edhe çështje e drejtësisë sociale.
Lindita Salihu, Zyrtare për Barazi Gjinore, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e të rinjve si promotorë të ndryshimit në mbrojtjen e të drejtave pronësore të grave dhe vajzave.
Gjatë dy ditëve, nën facilitimin e Fatbardha Emini dhe Majlinda Ostrogllava, studentët u njohën me kornizën ligjore dhe mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të drejtave pronësore, përmes metodave interaktive, diskutimeve dhe studimeve të rasteve. Workshop-i u përmbyll me diskutime reflektuese dhe ndarjen e mirënjohjeve për pjesëmarrësit, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre aktiv.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

