Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur trajnim me temën “Format dhe ndikimi i korrupsionit në shoqëri”, i dedikuar studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik.
Aktiviteti u hap nga Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, dekane e Fakultetit Juridik, dhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Trajnimi synoi zhvillimin e njohurive praktike dhe etike të studentëve në fushën e integritetit publik, transparencës dhe qeverisjes së mirë, duke krijuar hapësirë interaktive për diskutime mbi format e korrupsionit, ndikimin e tij në shoqëri dhe rolin e institucioneve në luftimin e tij.
Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e Universitetit “Kadri Zeka” për të avancuar edukimin joformal dhe për të ndërtuar një kulturë akademike të ndershmërisë, etikës dhe përgjegjësisë qytetare në mesin e studentëve.

