Universiteti Publik “Kadri Zeka” i Gjilanit (UKZ), në bashkëpunim me Kolegjin Ndërkombëtar Universum dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë, do të organizojë Konferencën e 4-të Ndërkombëtare për Shkencat Sociale dhe Shëndetësore, e cila do të mbahet më 22 prill 2026 në Prishtinë.
Konferenca synon të shërbejë si platformë akademike për shkëmbim shkencor dhe diskutim ndërdisiplinor, duke trajtuar çështje aktuale që lidhen me zhvillimet teknologjike, shëndetësinë, inteligjencën artificiale dhe sfidat globale.
Punimet shkencore do të zhvillohen në tri sesione tematike:
- transformimi i biznesit dhe inteligjenca artificiale për zhvillim të qëndrueshëm,
- shëndeti dhe mirëqenia njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale,
- gjeopolitika, siguria dhe paqja në kontekst global.
Në kuadër të konferencës do të organizohen edhe panele akademike mbi lidershipin etik, sipërmarrjen e gjelbër, shëndetin mendor dhe sfidat bashkëkohore të shoqërive moderne.
Pjesëmarrja e UKZ-së në këtë konferencë dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të universitetit për ndërkombëtarizim, bashkëpunim akademik dhe avancim të kërkimit shkencor.

