Në kuadër të projektit ndërkombëtar CoVE STEM Europe, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan më 23 tetor 2025 u mbajt konferenca me temë: “Sfidat e ndërmarrjeve industriale në Kosovë dhe zhvillimet teknologjike”, e cila bashkoi përfaqësues të institucioneve akademike, sektorit privat dhe organizatave partnere të projektit.
Në panel morën pjesë Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, dekan i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe koordinator i projektit CoVE STEM Europe, Ismajl Baftjari nga kompania INSI dhe Gëzim Selimi nga Grande Calabria.
Në fjalën hyrëse, Prof. Dr. Thaqi theksoi nevojën për bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet arsimit dhe industrisë, duke nënvizuar se arsimi universitar duhet të jetë motori i inovacionit dhe modernizimit teknologjik.
“Vetëm përmes partneriteteve të forta me industrinë mund të përgatisim studentë që i përgjigjen realisht kërkesave të tregut të punës,” u shpreh ai.
Përfaqësuesit e disa prej kompanive më aktive në sektorin industrial, si IMC “Natura”, INSI, DEA Company, EHG – Eco Holding Group, ZUKA Company dhe Brickos, diskutuan për mungesën e profesionistëve teknikë, sfidat në mirëmbajtjen e pajisjeve moderne dhe emigrimin e kuadrove të trajnuara.
Në fund të konferencës u dhanë rekomandime konkrete për forcimin e lidhjes mes arsimit dhe industrisë, përfshirjen e praktikave profesionale në programet studimore dhe zhvillimin e kurrikulave të përbashkëta me bizneset.
Këto rekomandime do t’i prezantohen Konsorciumit Ndërkombëtar të Projektit CoVE STEM Europe gjatë takimit që do të mbahet në UKZ më 18–20 nëntor 2025.
Një pjesë e veçantë e konferencës iu kushtua motivimit të të rinjve për ndjekjen e studimeve në fushat STEM dhe rëndësisë që ka përgatitja e kuadrove profesionale për një ekonomi konkurruese të bazuar në dije dhe inovacion.

