Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan zhvilloi sot provimin pranues për studentët e rinj që synojnë të regjistrohen në vitin e parë të studimeve baçelor, për vitin akademik 2025/2026.
Gjatë këtij procesi, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me prorektorët dhe dekanët e fakulteteve, vizituan sallat e testimit për t’u njohur nga afër me rrjedhën e provimit dhe për të siguruar zbatimin e standardeve akademike, transparencën dhe barazinë për të gjithë kandidatët.
“Ky është një moment i veçantë për të gjithë ata që kanë konkurruar sot për një vend në universitetin tonë. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis cilësor dhe gjithëpërfshirës për të ardhmen profesionale të studentëve tanë,” u shpreh rektori Dërmaku, duke falënderuar të gjithë kandidatët për besimin e treguar ndaj UKZ-së.
Provimi është mbajtur në të gjitha njësitë akademike që ofrojnë studime baçelor: Fakulteti i Edukimi, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, Fakulteti i Shkencave Sociale.
Procesi u zhvillua në mënyrë të organizuar dhe të rregullt, nën mbikëqyrjen e organeve përkatëse akademike.
Rezultatet e provimit do të publikohen brenda afateve të përcaktuara në konkursin zyrtar, ndërsa të pranuarit do të njoftohen për hapat e mëtejshëm të regjistrimit.