Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mirëpritur sot studentët e vitit të parë me rastin e fillimit të vitit akademik 2025/2026, në një ceremoni solemne ku morën pjesë drejtuesit e universitetit, stafi akademik e administrativ, si dhe delegacioni i Universitetit PH Zug nga Zvicra.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, në fjalën e tij përshëndetëse, uroi studentët për një vit të mbarë dhe i inkurajoi të angazhohen seriozisht në studime, duke theksuar se:
“Me praninë tuaj, UKZ merr frymë të re, merr energji dhe motivim për të vazhduar misionin e tij, të edukojë, të frymëzojë dhe të përgatisë breza të rinj për sfidat e së ardhmes”.
Në emër të udhëheqësisë, fjalime përshëndetëse mbajtën edhe Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Prof. Asoc. Dr. Shpresa Qamili, si dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, të cilët u uruan studentëve sukses dhe i nxitën të përfitojnë nga mundësitë që ofron UKZ në mobilitetin ndërkombëtar, projektet shkencore dhe zhvillimin profesional.
Pas ceremonisë, studentët e rinj vizituan ambientet e fakulteteve dhe morën informacione mbi programet dhe kurrikulat e tyre.
UKZ u uron suksese të gjithë studentëve të rinj dhe stafit akademik në rrugëtimin e ri universitar.